Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtën e pensionit bazik me të arritur moshën 65 vjeçare, sipas Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Parakushtet kryesore për të përfituar këtë përkrahje financiare është të dëshmoni se jeni shtetas i Republikës së Kosovës, të keni dokumentacion identifikimi, dhe arritja e moshës gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeçare.
Formularin e gatshëm për aplikim, duhet ta plotësoni me këto informata: emri i kërkuesit, arsyet e aplikimit për pension, datën e dorëzimit dhe të nënshkruhet në fund. Shërbimi është pa pagesë.
Këtij formulari duhet të ja bashkëngjitni këto dokumente valide të domosdoshme për njohjen e të drejtës në pension bazik (jo-kontribut dhënës) të moshës:
- flet aplikacioni për pension (në Zyrën Rajonale për Pensione në komunën tuaj)
- letërnjoftimin/dokumentit te identifikimit,
- ekstraktin nga zyrat e gjendjes civile se jeni banorë i përhershëm në adresën e caktuar,
- ekstraktin e lindjes,
- ndonjë dëshmi të faturave të cilat janë në emër të juajin: faturën e tatimit në pronë, energjisë elektrike, ujit apo mbeturinave,
- llogarinë bankare, të lëshuar në njërën nga bankat që operojnë në Kosovë, dhe
- dëshmi tjera eventuale të kërkuara nga zyrtari përgjegjës i zyrës pensionale.
Nga ana e personit përgjegjës ku do të dorëzoni kërkesën me dëshmitë e kërkuara, do të njoftoheni për zhvillimet e mëtejshme të kërkesës, pasi që e njëjta të jetë protokolluar dhe ju të pranoni dëshminë me datën dhe numrin e dorëzimit të tyre.
Kërkesa për pension bazik shqyrtohet dhe vlerësohet nga Komisionet e Pensioneve në zyrat e pensioneve në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e parashtrimit të kërkesës, në Zyrat Rajonale të Administratës Pensionale.
Pensionet do të fillojnë të paguhen nga dita e parashtrimit të kërkesës, në konton bankare të pensionistit, të verifikuar nga Ministria gjatë shqyrtimit të kërkesës për pension.
Nëse jeni të pakënaqur me vendimin, ju keni të drejtë ankese tek Divizioni për shqyrtimin dhe Vendosjen e Parashtresave dhe Ankesave të Departamentit Ligjor të Ministrisë, të cilin e dorëzoni në zyrën e pensionit ku keni aplikuar. Ankesa bëhet me shkrim, në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të vendimit. Ky Divizion, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e pranimit të ankesës, nxjerr vendim duke refuzuar apo pranuar ankesën si të bazuar. Nëse jeni të pakënaqur me vendimin e organit të shkallës së dytë, me padi, në afat prej tridhjetë (30) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit me shkrim, mund t’i drejtoheni gjykatës më saktë Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=12000 – Udhëzim Administrativ (MPMS) Nr.07/2015 për Procedurat e Aplikimit dhe Ankimimit në Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti